Kompania e njohur japoneze e veturave, Nissan, në panairin e veturave në Buenos Aires ka tërhequr vëmendjen e gjithë të pranishmëve me konceptin e ri të modelit Frontier në version Pick-up, i cili në Evropë njihet me emrin Nissan Navara.

Fjala është për konceptin Frontier Attack, i cili është krijuar në qendrën e Nissanit për dizajn në Brazil, ndërsa sipas të gjitha gjasave në një të ardhme të afërt koncepti i ri mund të bëhet edhe në version seri.

Nissan Frontier Attack vjen me eksterier me ngjyrë të kuqe dhe disa elemente me ngjyrë të zezë si kofano, maska e përparme, pasqyrat, mbajtësit mbi çati, etj., të cilat e bëjnë këtë koncept të duket si një “bishë” e vërtetë, transmeton Koha.net. Po ashtu, koncepti i ri vjen edhe me rrotat e reja me ngjyrë të zezë e gomat Yokohama, dritat e errëta, pragjet e reja, ulëset me ngjyrë të zezë e qepje ngjyrë të kuqe dhe logon “Attack”, ekran 6.2-inç të ndjeshëm në prekje, sistemin e navigacionit, si dhe me detajet tjera me ngjyrë të zezë shkëlqyese në interier.

Gjithashtu, koncepti i ri vjen edhe me sistemin Hill Start Assist, Hill Descent Control dhe Vehicle Dynamic Control.

Sa i përket motorit, Frontier Attack vjen me motor diezel 2.3-litër me kapacitet prej 190 kuajfuqi, në kombinim me marshin manual me gjashtë shpejtësi dhe sistemin e tërheqjes me të gjitha rrotat.