Mediat amerikane kanë shkruar se kompania Facebook ka kërkuar nga bankat informacione për transaksionet financiare të përdoruesve të këtij rrjeti social, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një artikull të botuar, gazeta amerikane “The Wall Street Journal” publikoi informacionin se Facebook ka kërkuar të dhëna mbi transaksionet financiare dhe bilancin e llogarisë bankare të përdoruesve të saj, që kanë llogari në bankat JPMorgan Chase, Wells Fargo, Citigroup dhe US Bancorp.

Kompania Facebook përmes një kumtese mohoi akuzat e tilla, duke thënë se disa përdorues individualë kanë ndarë informacionet e tyre financiare përmes aplikacionit Messenger, por se rrjeti social nuk shfrytëzon ato të dhëna për asnjë lloj të marketingut.

Kujtojmë se Facebook u trondit nga një krizë e besimit që kanë përdorusit e saj, të punësuarit dhe investitorët, pasi paraprakisht pranoi se të dhënat e rreth 87 milionë përdoruesve të saj, kryesisht nga SHBA-të, kanë rënë në duart e kompanisë Cambridge Analytica, të cilat më vonë janë përdorur në fushatat politike.