Konfirmohet zyrtarisht nga Apple se prezantimi i modeleve të reja të iPhone do të shtyhet për një periudhë tjetër më vonë gjatë këtij viti.

“Vitin e kaluar kemi nisur shitjet e modelit të ri iPhone në fund të muajit shtator, këtë vit presim që të shtyhet disa javë më vonë”, ka thënë Luca Maestri, drejtor i financës në Apple Inc.

Ai nuk ka zbuluar më shumë se pse do të ndodhi kjo shtyrje, por prej disa muajsh në kompani janë hapur thashetheme se modeli i ri nuk do të prezantohet në muajin shtator. Në fillim të këtij viti janë publikuar edhe shumë lajme në lidhje me vonesat në prodhimin në masë të modeleve të ardhshme të iPhone për rreth 1 muaj. Një tjetër faktor është edhe shtyrja e lançimit të rrjetit 5G në shumë shtete të botës.

Është një traditë që modelet e reja prezantohen në Shtator dhe shitjet nisin në fund të muajit, por kjo nuk është hera e parë që një telefon i Apple të vonohet më shumë. Rasti i fundit ishte modeli iPhone X i prezantuar në shtator 2017, por është hedhur në treg në nëntor për shkak të problemeve që kishte ai model.