Ekspertët kanë zbuluar mënyrën më të mirë për të ndezur makinën gjatë ditëve të ftohta dhe për shumë mund të jetë një fakt tejet surprizues. Ndonëse teknologjia e makinave ka avancuar shumë përgjatë 20 viteve të fundit, i ftohti mbetet ende problem për automjetet.

Pasi e kanë lënë automjetin përgjatë natës jashtë, në ngricë, të shumtë janë ata që gjerësisht besojnë se nxehja e motorit duke e lënë të ndezur për pak minuta është gjëja më e mirë që mund të bëjnë. Por në fakt kjo nuk i sjell asgjë të mirë makinës tuaj.

Në një artikull të publikuar nga e përditshmja "Mirror", ky proces vetëm sa e zgjat edhe më shumë periudhën e nxehjes. Ky veprim vjen që prej kohës së karburatorit, që donte disa minuta derisa të arrinte një temperaturë të caktuar për të punuar në mënyrë optimale. 

Tashmë pjesa më e madhe e makinave nuk e kanë më një gjë të tillë. Ditët e sotme, motorët funksionojnë me injeksion me lëndë djegëse dhe të dizenjuara në mënyrë të tillë që të ndizen dhe të ecin menjëherë.

Nëse e ndizni dhe lëvizni fillimisht ngadalë, funksionon më së miri. Veprimi i lënies së motorit të ndezur me qëllim nxehjen e tij mund të dëmtojë vetë motorin, pasi sipas ekspertëve mund të çojë në hollim të vajit.