Më shumë se 100 ekspertë, lider në fushën e robotikës, po i kërkojnë Kombeve të Bashkuara që të ndërmarrin masa dhe të ndalojnë prodhimin e robotëve killer.

Në një letër drejtuar organizatës, liderët e inteligjencës artificiale, përfshirë edhe miliarderin Elon Musk, paralajmërojnë për një revolucion të tretë në luftë. Letra nënvizon se teknologjia vdekjeprurëse autonome është një “kuti e Pandorës”. 116 ekspertët kërkojnë një ndalim të përdorimit të inteligjencës artificiale në fushën e armatimeve.

“Pasi të prodhohen, ata do të mundësojnë që konfliktet e armatosura të luftohen në shkallën më të madhe të parë ndonjëherë dhe në kohë më të shpejtë nga sa njerëzit mund ta perceptojnë. Ata mund të jenë armë terrori, armë që despotët dhe terroristët mund t’i përdorin kundër popullatave të pafajshme dhe armë që mund të kompromentohen apo hakerohen për të vepruar në mënyrë të padëshirueshme”, thuhet në letër.

Liderët e teknologjisë, në letrën e tyre nënvizojnë emergjencën e ndërhyrjes dhe paralajmërojnë se nuk ka shumë kohë për të vepruar. “Pasi kjo kuti e pandorës të hapet, do të jetë e vështirë të mbyllet”, nënvizojnë ata. Ekspertët kërkojnë që ajo që ata e konsiderojnë një teknologji moralisht të gabuar të shtohet në listën e armëve të ndaluara nga konventat e Kombeve të Bashkuara.

Në vitin 2015, një grup prej më shumë se 1 mijë ekspertësh të teknologjisë, shkencëtarësh dhe kërkuesish, shkruan një letër ku paralajmëronin për rreziqet e armatimeve autonome. Një robot killer është një armë plotësisht autonome që mund të përzgjedhë shënjestrat pa ndërhyrjen njerëzore. Ata aktualisht nuk ekzistojnë, por avancimi në teknologji po i bën gjithnjë e më realë.