Në kohën e pandemisë, janë përhapur edhe shumë teori mbi shkaqet e mundshme të virusit. Flasim për ato që quhen fake news, pra në njëfare mënyrë gojëdhëna bashkëkohore.

Një ndër to ishte që koronavirusi mund të ishte pasojë e teknologjisë 5G, ose të paktën që rrit mundësitë për t’u infektuar. Por  shkenca e mohon kategorikisht këtë gjë. Teoritë aktuale ndahen në dy grupe, që sipas së parës teknologjia 5G ul imunitetin e organizmit, duke e bërë njeriun më të brishtë e rrjedhimisht duke u prekur me lehtësisht. Ndërsa sipas idesë tjetër, është pikërisht 5G shkaktare e COVID-19.

Për Simon Clarke, profesor i mikrobiologjisë qelizore në Universitetin Britanik Reading, kjo gjë është e pamundur. Ai shpjegon se prania e valëve radio me frekuencë të lartë mund të influencojë në fiziologjinë e njeriut duke rritur temperaturën e trupit dhe duke dobësuar sisitemin imunitar, por duke qenë se valët e 5G kanë frekuenca mes 3-30 Ghz, këto bazuar në studimet e deritanishme, nuk arrijnë të dëmtojnë qelizat, ndryshe nga sa ndodh me rrezet diellore ose ato X.

Ndërsa duke ju referuar teorisë tjetër sipas së cilës është pikërisht 5G që e ka transmetuar virusin, komuniteti shkencor thotë se virusi transmetohet në rrugë ajrore, dhe në bazë të të gjitha studimeve në laborator mbi të, konkluzioni është se viruset dhe valet elektromagnetike që shfrytëzojnë celularët, funksionojnë në mënyra totalisht të ndryshme.

Këto teori të përhapura në rrjet në kohën e përhapjes së koronavirusit, pa baza shkencore, kanë shkaktuar edhe dëme anësore. Në Britaninë e madhe në zonat e Birmingham dhe Merseyside janë djegur antena të rrjetit 5G.