Televizori 8K me ekran OLED, 88 inç, tashmë do të jetë në treg në të gjithë botën, pasi fillimisht nisën shitjet vetëm në Korenë e Jugut.

Gjiganti elektronik LG njoftoi të martën se ka filluar të nxjerrë në treg dy modele 8K – TV OLED dhe NanoCell, në Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Australi dhe Gjermani, por çmimi është pak i kripur pasi bëhet fjalë për 42 mijë dollarë.

LG e prezantoi televizorin 8K në fillim të këtij viti në eventin “Show Consumer Electronics” në Las Vegas.

Nëse ekranet LCD janë të ndriçuara nga pas, në ekranet OLED, pixelat janë krijuar me komponentë që ndriçojnë vetë. Sipas CNET, rezolucioni i këtij televizori është më i larti aktualisht në treg.

Në një deklaratë, kompania ka thënë se ky televizor ka 33 milionë piksela vetë-emetuese, duke siguruar ngjyra më të gjalla dhe një kënd më të gjerë shikimi. Kjo teknologji përdor procesorin “Alpha” të LG, i cili siguron një pamje më të qartë të ekranit.