Autoritetet çeke kanë vënë në pranga 3 persona të dyshuar si pjesë e një rrjeti të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku njëri prej tyre është me origjinë shqiptare.

Sipas mediave në Çeki, hetimi nisi pas sekuestrimit në dy vitet e fundit të 1 ton 490 kg kokainë në arkat me banane të një rrjeti marketesh.

Operacioni i kryer në bashkëpunim me Interpolin, bëri të mundur edhe arrestimin e Jiri G, drejtuesin e departamentit të importit të fruta-perimeve në supermarket, raportojne mediat.

“Anëtarët e grupit të organizuar kontrabanduan kokainë në arka bananeje nga vendet e Amerikës së Jugut nëpërmjet Hamburgut”, tha kryeinspektorja Lucie Smoldasová, e cila theksoi se “ai ndoshta ka ndërmjetësuar lidhjen me dy të huaj të tjerë”.

Po ashtu u arrestua dhe një tjetër shtetas çek, Petr H, ndërsa personi i tretë i arrestuar është një shtetas shqiptar, i cili ishte ndërkohë nën hetim për trafik droge nga autoritetet.

Grupi kriminal mësohet se drejtohej nga një person, i cili jetonte në Pragë prej kohësh dhe ishte dënuar për trafik droge.