Tri minutat që do të ndryshojnë mendimin tuaj (VIDEO)

14/09/2014 - 21:11

Kush është më bujar, një i pasur apo një i pastrehë? Kësaj pyetjeje i ka dhënë përgjigje 18-vjeçari nga Danimarka, Arian Kashef, përmes një videoje të cilën më pas e ka postuar në YouTube.

Misioni fillon kështu: Adoleshenti Kashef dërgon përpara shokun e tij me një pako me ushqime, të cilat ia dhuron një personi të pastrehë në qendër të Kopenhagenit. Menjëherë pas tij, shfaqet Kashef, i cili e pyet nëse mund ta ndihmojë me ushqim. Reagimi i tij është impresionues. Megjithëse mund ta ruante vetë ushqimin për një vakt të mëvonshëm, ai pranoi ta ndante me “lypësin” që i kërkoi ndihmë. Ndoshta sepse ai e kupton më mirë se çdo të thotë të ngelesh pa ngrënë. 

Të gjitha reagimet janë filmuar nga një kamera e fshehtë. Filmimet tregojnë se edhe pse njerëzit e pastrehë janë të uritur, ata e ndajnë ushqimin e tyre pa hezitim me adoleshentët.

“Dy burra, të cilëve u çuam ushqim ishin shumë mirënjohës. Ata e ndanë ushqimin me mua dhe biseduam. Edhe pse periferia e shoqërisë, solidariteti tek ata është në nivel shumë më të lartë”, thotë Kashef.

I riu u ndal rrugës dhe në kafenetë e qytetit, ku kërkoi ushqim nga njerëz të rastësishëm, por pa sukses. Kontrasti i bujarisë është shumë i madh.

Videoja me titull “Tri minuta që do të ndryshojnë mendimin tuaj” është postuar nga adoleshenti në kanalin e tij të Youtube-t ” Arian Planet” dhe deri më tani ka arritur mbi 44 mijë klikime, e cila përcjell mesazhin që paraja nuk është gjithçka, zemra është thelbësore.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: