Vëzhguesit Vendorë: Listat e pasakta dhe të pa publikuara

09/01/2013 - 20:59

 

TIRANË- Pas shqetësimeve të ngritura më parë në lidhje me përgatitjet zgjedhore, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ngre një tjetër cështje, atë të listave. Këto të fundit sipas Vëzhguesve Vendorë janë të pasakta dhe të pa publikuara dhe se përgatitja e tyre është cënuar nga mosrespektimi i afateve ligjore të parashikuara dhe moszbatimi i dispozitave ligjore të përcaktuara.

Duke cituar Kodin Zgjedhor, vëzhguesit vënë në dukje se listat duhet të ishin gati që prej datës 3 janar dhe tashmë duhet të ishin publikuar në zyrat e gjendjes civile, ndërkohë që konstaton pasaktësi në ndarjen e zgjedhësve. 

“Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) konstaton se procesi i përgatitjes dhe publikimit të listave paraprake të zgjedhësve, më saktësisht, i ekstraktit të parë të përbërësve zgjedhorë të të gjithë zgjedhësve, sipas vendbanimit dhe qendrave të votimit, është cënuar nga mosrespektimi i afateve ligjore të parashikuara dhe moszbatimi i dispozitave ligjore të përcaktuara. Sipas dispozitave ligjore të parashikuara në Kodin Zgjedhor si dhe në udhëzimin nr. 374 datë 10.12.2012 të Ministrisë së Brendshme, të gjitha njësitë vendore duhet që brenda datës 3 Janar 2013 të kishin përgatitur, printuar dhe publikuar në ambientet e Zyrave të Gjendjes Civile, ose në ambientet pranë tyre me akses të lirë për publikun, ekstratin e parë të përbërësve zgjedhorë të të gjithë zgjedhësve”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e shpërndarë për media të Koaliconit të Vëzhguesve Vendorë. 

Koalicioni i tërheq vëmendjen Ministrisë së Brendshme që të detyrojë institucionet dhe administratën në varësi të zbatojnë ligjin me seriozitet dhe profesionalizëm, si dhe t’u ofrojë informacion dhe gatishmëri për bashkëpunim të gjithë aktorëve institucionalë sikundër e kërkon ligji. 

Në përfundim, Koalicioni i kërkon Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve që të përdorë sa më parë instrumentat e tij për të mbikëqyrur nga afër procesin e hartimit të listave të zgjedhësve, administrimin e zonave të qendrave të votimit si dhe të numrit të zgjedhësve për çdo qendër votimi, sikundër e kërkon ligji, si edhe për të ushtruar autoritetin e tij për të mbështetur e ndihmuar Njësitë e Qeverisjes Vendorë në realizimin e këtij procesi shumë të rëndësishëm për zgjedhjet e ardhshme të 23 Qershorit 2013.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: