Vartësja e Imamit: Sistemi digjital nuk lejon tenderë korruptues

04/09/2013 - 21:49

TIRANË, 4 shtator 2013 – Teksa qeveria po bën dorëzimet, ministri i Mbrojtjes Arben Imami, ka nxjerrë para medieve të kryeqytetit, zëvendësen e tij Arta Musaraj, që u paraqit me “bizhu” shkencore: dr. prof. Musaraj tha se doli në mbyllje të këtij mandati qeverisës për të prezantuar, atë që ajo e quajti “një arritje të shënuar të Ministrisë së Mbrojtjes”. Bëhet fjalë për vendosjen e sistemit të automatizuar të menaxhimit të burimeve të mbrojtjes. Ky është një sistem tërësisht digjital, me komponentët software dhe hardware të tij të testuar, i cili ka dhënë suksesshëm  produktet e veta në menaxhimin e përbërësve të caktuar të tij, duke sjellë ndryshime rrënjësore në planifikimin e burimeve të mbrojtjes dhe nevojave për to, në përputhje me dokumentet bazë të zhvillimit dhe planifikimit strategjik të mbrojtjes shqiptare. Znj. Musaraj u kujdes të thotë se “planifikimi i saktë i operacioneve dhe pajisjeve është një prej output-eve primare dhe më të rëndësishme të këtij sistemi, duke sjellë një qartësi dhe efiçencë të rritur në investime duke e bërë çdo fond publik të shpenzuar në këtë drejtim për mbrojtjen shqiptare më të vlefshëm dhe efiçencën e përdorimit të tij dukshëm më të lartë”. Tërthorazi u la të kuptohej se akuzat për tenderë korruptues në ministrinë e Mbrojtjes, për të cilat fajësohet kreu i dikasterit Imami, nuk janë të drejta se nuk e ka lënë sistemi. Musaraj shtoi se “integrimi në këtë sistem i menaxhimit të financave të mbrojtjes në gjithë njësitë shpenzuese të saj, bën jo vetëm më të lartë transparencën në menaxhimin e tyre, por mundëson bërjen e analizave financiare që ridimensionon llogaridhënien në përdorimin e financave publike, si dhe rregullon dukshëm proceset e planifikimit, të cilat janë jetike për një vend anëtar të Aleancës më të madhe politike dhe ushtarake deri më sot. Inventarizimi dhe regjistrimi i burimeve të mbrojtjes e në mënyrë të veçantë i materialeve të tepërta, e bën funksionimin e sistemit të automatizuar të menaxhimit të burimeve të mbrojtjes një mekanizëm efiçent në uljen e kostove të administrimit të këtyre burimeve duke ndikuar dukshëm në përmirësimin e financave të vetë sistemit të mbrojtjes”.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

 
 
 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: