Deputeti Lefter Koka ka zhvilluar një takim me banorë të lagjes nr.6 në Durrës, ku ka folur për projektet e rëndësishme që qeveria po konkretizon, mes të cilëve dhe ai i transformimit të portit të Durrësit.

Koka tha se porti 2400-vjeçar i Durrësit ka nevojë të lirohet nga ngarkim-shkarkimi i mallrave dhe të kthehet në një prej porteve turistike më të zhvilluar të rajonit të Mesdheut.

“Durrësi duhet të lirohet nga ngarkim-shkarkimi i mallrave. Ai është një port 2400-vjeçar në fakt, ndërkohë që Durrësi perspektivën e vet e ka të lidhur me turizmin. Një turizëm që në Durrës ka të ardhme, sepse qyteti ka vlera të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. Ka hapësira të rëndësishme për pushuesit, ka patjetër dhe kapacitet mikpritës me një kuzhinë gjithmonë e më të sofistikuar dhe nuk mundet më që mu në zemrën e vet, të ketë një port që nga çdo pikëpamje është i tejkaluar nga vetë koha. Durrësi është një qytet port i Shqipërisë. Ndërkohë që zemra e qytetit çlirohet nga ai aktivitet, të hapë me patjetër perspektiven për rritjen e mëtejshme të atij aktiviteti, që në portin aktual është i pamundur. Kapacitetet e tij janë ato që janë. Sot ne duhet të shohim perspektivën e portit të mallrave në Durrës, si një perspektivë të lidhur me ambicien për të pasur një port shumë të rëndësishëm nga pikëpamja e vëllimeve. Por njëkohësisht ta lidhim atë me një hapësirë ekonomike, që në zemrën e qytetit është i pamundur”, pohoi kandidati Koka. 

Ndërkohë duke folur për menaxhimin e pandemisë, Koka pohoi se kjo është meritë e drejpërdrejtë e qeverisë, që nëpërmjet hapave të mirëmenduar, sot po shkojmë drejt një rikthimi gradual në normalitet.

“Pandemia është një ndër treguesit që dëshmon seriozitetin e punës së qeverisë socialiste. Nuk do të kemi më ankthin e sëmundjes apo humbjes së jetëve. Duhet vlerësuar, se jam i sigurtë, nëse do të ishte keqmenaxhuar, në mënyrë të padiskutueshme do të ishte një kosto shumë e madhe për qeverinë shqiptare. Por parë sot, që shifrat kanë shkuar mbi 300 mijë të vaksinuar, kur janë mbi 100 mijë të shëruar nga ky virus dhe kur ne rradhitemi ndër vendet e para përsa i përket vaskinimit, unë besoj se është meritë e qeverisë dhe kryeministrit Rama”, pohoi Koka, i renditur i shtati në listën e Partisë Socialiste për qarkun e Durrësit.