Nga qyteti i Durrësit, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka përsëritur edhe njëherë thirrjen për qeverinë që të zbatojnë planin e opozitës së bashkuar për menaxhimin e pandemisë.

Pas takimeve me biznesin e vogël në qytetin bregdetar, kreu i PD tha se plani i prezantuar pak ditë më parë nuk është plani elektoral, por janë masat që duhen marrë për 6 muajt e ardhshëm.

Basha i bëri thirrje qeverisë që të mos merret me opozitën dhe me tallje, por të marrin planin dhe ta vë në zbatim sepse situata po rëndohet çdo ditë e më shumë.

“Ftesa që kam sot për qeverinë: Jepini fund lojërave dhe propagandës, merrni planin tonë me 5 pika dhe fillojeni e zbatojeni! Siguroni mbrojtjen ndaj pandemisë se po shtohen rastet, mbrojtje mjekëve dhe infermierëve, jepini pagën dhe rimbursim të sëmurëve se siç më tha një infermiere një i sëmurë me Covid 19 harxhon vetëm për barnat 60 mijë lekë, ndërsa nëse merr edhe oksigjen shkon deri në 12 mijë lekë të reja. Jepni 1 mijë euro për mjekët dhe 500 euro për infermierët. Hapa e shkollave e ka rritur mundësinë për përhapjen e virusit, të merren masa për furnizimin me ujë në shkolla, maska higjienizues duhet të jenë falas. Shqetësimi kryesor që më shprehën bizneset ishte rënia e konsumit, xhepat e qytetarëve janë bosh, kursimet kanë shteruar, ndaj i ftoj të marrin masa, kush ka humbur punën të marrë pagesë prej 160 mijë lekësh për 6 muaj, për të ripunësuarit biznesi duhet të marrë mbështetje 200 mijë lekë. Biznesi i vogël të marrë një cek prej 1 mijë euro për 6 muajt e ardhshëm. Plani ynë me 5 pika është kundër krizës dhe duhet të nisë zbatimim menjëherë. Cdo ditë që qeveria e vonon rëndon gjendjen e shqiptarëve, iu shtrëngon lakun në fyt shqiptarëve”,- tha Basha.