Sot bëhet një vit nga tërmeti me magnitudë 6.4 me pasoja tragjike i 26 nëntorit 2019, kur u shuan 51 jetë njerëzish, dhjetëra u plagosën e me mijëra persona mbetën pa shtëpitë e tyre.

Shumë familjarë janë ende me plagët e hapura, për familjarët që humbën apo shtëpinë e tyre që iu shemb nën këmbë. Dy zonat më të prekura dhe me më shumë viktima kanë qenë Durrësi dhe Thumana. Ishte ora 03:56, kur një lëkundje e fuqishme me magnitudë 6.4 të shkallës rihter, që zgjati për rreth 50 sekonda, goditi vendin duke iu marrë jetën 51 personave dhe plagosur plot 913 të tjerë. 

Pallate, shtëpi, shkolla të shembura, njerëz që kërkonin ndihmë, ambulanca, makina policie e ushtrie shqiptare e të vendeve fqinje ishte tabloja e asaj tragjedie, mëngjesin e 26 nëntorit të kaluar e për ditë me radhë.

Solidariteti i vëllezërve, fqinjve dhe miqve nuk mungoi. Kosova, Italia, Greqia, Turqia, Franca e shumë vende të tjera sollën në Shqipëri ekipe të kërkim-shpëtimit që për ditë me radhë kërkuan nën rrënoja për trupat e viktimave.

Pas një viti, plagët ende nuk janë shuar. Durrësi, Shijaku, Thumana, Tirana patën pasoja të rënda dhe ndërkohë në këto bashki ka nisur procesi i rindërtimit.

Tanimë një vit më pas, shumë shtëpi janë rindërtuar dhe shumë të tjera janë në rindërtim, por pavarëisht kësaj, viti 2019 do të mbahet mend gjatë si një vit zie për shkak të këtij tërmetit të fuqishëm.