Një ditë më parë, River Cleanup Albania ka zhvilluar aksionin e 13-të përgjatë lumit të Tërkuzës, si degë kryesore e lumit Ishëm, i konsideruar si lumi më i ndotur në Evropë dhe për të cilin operon në Shqipëri, organizata ndërkombëtare River-Cleanup.org me në qendër në Bruksel, që nga qershori i vitit 2020.

Në këtë aksion janë bërë bashkë gjimnazistë, studentë, mësues e pedagogë, kryesisht nga gjimnazi “Ibrahim Kodra”,  Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, Universiteti Bujqësor të Tiranës dhe Universiteti i Tiranës, aktivistë natyre, Bashkia Krujë, Agjencia e Zonave të Mbrojtura, Durrës, organizata CEAPAL, kompanitë  private Eden Tours dhe ajo e riciklimit të plastikës B.I.A.P..

E konceptuar si një aktivitet në natyrë, të rinjtë, të bashkuar në këtë aktivitet në mënyrë vullnetare, ishin kujdesur për gjithçka.

Nën tingujt e muzikës shoqëruese, që i jepte tjetër energji aktivitetit, ata pastruan brigjet e lumit të Tërkuzës nga mbetja e ngurtë e pariciklueshme në natyrë, kryesisht plastika, duke u bërë shembull qytetarie nën moton e River Cleanup, “Clean locally, celebrate globally. – Pastro lokalisht, festo globalisht”.

“Bashkohu edhe ti me ne duke u bërë pjesë e zgjidhjes, jo e problemit!“, është thirrja që River Cleanup Albania ka për të gjithë.