Xhakja: Kryekomisari Tahiraj në gjendje të dehur, më shau nga familja

08/05/2013 - 11:33

TIRANE, 8 maj 2013- Ilir Xhakja, ka dëshmuar ditën e sotme për rreth 1 orë e 20 minuta në Gjykatën e Krimeve të Rënda në lidhje me vrasjen e kryekomisar Adem Tahiraj. I akuzuar për vrasjen e kryekomisarit të Shijakut, më 13 shtator të vitit të kaluar, me një qëndrim që dukej tepër i bezdisur dhe një të folur shumë të shpejtë Xhakja, ka rrëfyer para 5-shes gjykuese se e vrau Adem Tahiraj për vetëmbrojtje. Xhakja ka lëshuar akuza të forta ndaj kryekomisarit , duke deklaruar në seancën gjyqësore se Tahiraj ishte i dehur dhe e ka ofenduar duke e sharë nga familja. Për këtë arsye Xhakja pretendon se e ka qëlluar për vdekje. Dëshmia e Ilir Xhakjas është në kundërshtim të plotë me pretendimin e Prokurorisë, sipas së cilës është Xhakja që e ka ofenduar kryekomisar Adem Tahiraj për të qëlluar më pas për vdekje. 

Në seancën e sotme i akuzuari është shprehur se është provokuar nga policët që ishin të pirë, duke pretenduar se ata mbushën pistoletën dhe gjuajtën. "U ndjeva i kërcënuar dhe qëllova. Nuk e njihja Adem Tahirajn", është shprehur Xhakja.

Procesi i Xhakjes është drejt fundit, ndërkohë që në seancën e radhës pritet dëshmia efektivit Kastriot Gosturani. Ilir Xhakja akuzohet se qëlloi për vdekje shefin e komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj, i cili kishte urdhëruar të bllokohej makina e nipit, Ledio Krasnaj. Ish-kreu i komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj, u ekzekutua më 13 shtator, në fshatin Katund Sukth, gjatë një kontrolli rutinë të automjetit të nipit të tij. Fillimisht, “i forti i Shijakut” është konfliktuar me Tahirajn dhe më pas e ka qëlluar me pesë plumba pistolete, duke e lënë të vdekur në vend. Arrestimi i Xhakjes u bë pak orë më vonë, në fshatin Shën Vlash.

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: