Zbardhen akuzat për Shullazin, i vuri gjobë biznesmenëve në Tiranë e Durrës

17/04/2016 - 11:09

Prokuroria e Tiranës ka ngritur disa akuza ndaj Emiljano Shullazit dhe dy miqve të tij që u ndaluan mbrëmë nga policia. Ata u shoqëruan në policinë e kryeqytetit me urdhër – ndalimi të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Mësohet se ndaj Shullazit, Gilmando Danit dhe Blerim Shullanit rëndojnë akuzat për gjobëvënie, shkatërrim prone me eksploziv dhe kërcënim. Sipas prokurorisë, ata kanë shtrënguar disa biznesmenë në Tiranë e Durrës, për dhënie të pasurisë. Për këto akuza, prokuroria ka prova, dëshmi e përgjime, pasi Shullazi dhe banda e tij duket se janë mbajtur prej kohësh nën vëzhgim.

Shullazi mësohet se po hetohet edhe për disa atentate me tritol, por burimet janë të rezervuara dhe nuk bëjnë të ditura rastet për të cilat ai dyshohet. Po ashtu, ai po hetohet edhe për kërcënimin e kandidatit për Rektor në UT, Mynir Konit, por për këtë çështje, mbrëmë ai ka thënë se nuk ka kërcënuar asnjë njeri.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: