Presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu i tij koreanojugor, Moon Jae In ranë dakord që të shtyjnë manovrat ushtarake të parashikuara mes dy vendeve gjatë Lojërave Olimpike Dimërore të Pjeongçangut në shkurt, deklaroi sot presidenca e Koresë së Jugut.

“Dy krerët ranë dakord që manovrat ushtarake të përbashkëta amerikano-koreanojugore të mos zhvillohen gjatë periudhës olimpike dhe që ushtritë e dy vendeve do të bëjnë maksimumin për të garantuar sigurinë e lojërave”, sipas një komunikate nga zyra e Moon Jae In.

Sipas Seulit, ky vendim u mor të martën gjatë një bisede telefonike mes dy krerëve.

“Moon i deklaroi Trump-it se shtyrja e këtyre manovrave do të kontribuojë në suksesin e Lojërave Olimpike Dimërore nga ku edhe mundësia që Pheniani të mos përdorë provokime të reja”, thuhet në këtë komunikatë.

“Departamenti i Mbrojtjes mbështet vendimin e presidentit dhe atë që është në interesin më të mirë të aleancës amerikano-koreanojugore”, komentoi një zëdhënës i Pentagonit, koloneli Rob Manning, përcjell Atsh.

Kjo deklaratë vjen disa orë pas deklaratës së Donald Trump ku vlerësonte se bisedimet mes Koresë së Jugut dhe Koresë së Veriut janë një gjë e mirë.