Tashmë jemi të vetëdijshëm që koronavirusi, me të cilin po bashkëjetojmë prej më shumë se një viti, nuk prek vetëm rrugët e frymëmarrjes te pacientët e infektuar.

Sytë janë një tjetër organ që vuajnë pasojat e virusit të rrezikshëm apo edhe të medikamenteve që përdoren për kurimin e tij.

Mjekja okuliste në Durrës, Silvana Tonuzi thotë në një intervistë për “DurrësLajm” se duke qenë se Covid-i është virus, te personat mbartës prek kornenë ose xhamin e syrit, rikuperimi i të cilit kërkon një trajtim specifik, të menjëhershëm dhe ndjekje për një kohë të gjatë te specialisti.

Përdorimi i kortizonikëve apo holluesve të gjakut për të luftuar koronavirusin në organizëm, bëjnë që të shfaqen disa komplikacione në sytë e të infektuarve, si psh; rritja e tensionit, hemoragjia, perdja, skuqje etj..

Komplikacioni më i shpeshtë është rritja e tensionit endokular, kjo ka ardhur si pasojë e përdorimit të kortizonikëve. Një prekje tjetër është hemoragjia, kjo ka ardhur nga përdorimi i holluesve dhe ka bërë një çarje të lehtë të enëve të gjakut, të pjesës sipërfaqësore të syrit dhe ka dhënë një hemoragji që duke ardhur te mjeku okulist ajo kalon me një mjekim dhe pa pasoja në shikim. Një pasojë tjetër është perdja e syrit, edhe kjo vjen si pasojë e përdorimit të kortizonikëve për një kohë të gjatë. Sindroma e syrit të skuqur, pacienti vjen me një skuqje të syrit, tharja e syrit që shkaktohet nga koronavirusi. Ndërsa një infeksion goxha i gjerë dhe që lë një pasojë të lehtë në shikim janë keratitet virale.”, shprehet doktoresha.

Mjeka Tonuzi thotë se grupmosha më e prekur nga këto komplikacione ka qenë ajo nga 40-60 vjeç pasi sipas saj është mosha aktive, e cila edhe e ka neglizhuar koronavirusin, “nuk janë vizituar te mjeku i familjes dhe për pasojë nga virusi janë prekur edhe organet e tjera, siç është dhe syri.”

Zhvillimi i mësimit online për shkak të pandemisë, pati pasojat e veta në shëndetin e fëmijëve duke qenë se pajisjet teknologjike, i përdornin me orar të tejzgjatur jo vetëm për shkollën por edhe për argëtim. Kjo sipas mjekes okuliste, shkakton dëmtim të dyfishtë në sytë e fëmijëve.

“Dëmtimi i parë është rrezatimi i valëve elektromagnetike, e cila bën tharjen e syrit dhe bën një dëmtim direkt në sy duke dhënë çrregullime të refraksionit të cilat duhen korigjuar patjetër me vendosjen e syzeve. Ndërsa çrregullimi i dytë është çrregullimi i akomodimit. Duke mbajtur smartfonin shumë afër dhe për një kohë të gjatë, ai bën që të kemi spazma të akomodimit dhe sytë i verbojnë, do të thotë shtrembërohen.”, thotë mjekja okuliste.

Më tej, mjekja Tonuzi këshillon që fëmijët të qëndrojnë para ekraneve të telefonëve apo kompjuterave jo më shumë se 30 minuta në ditë, duke mbajtur distancën e duhur, të paktën 30 cm, si dhe duke u ushqyer më ushqime jeshile, si spinaqi, brokoli, lulelakër etj..

Ndërsa iu bën thirrje prindërve të jenë vigjilent ndaj ankesave që iu paraqesin fëmijët në lidhje me shikimin. “Sa më e shpejtë të jetë vizita te mjeku okulist aq më e shpejtë është zgjidhja për problemin që ata kanë”, thotë Tonuzi.

Gertjana Daçi