Përpunimi i mallrave tranzit me destinacion Kosovën gjatë vitit 2019 është rritur me 110,6 % krahasuar me vitin paraardhës-mësohet nga të dhënat statistikore të Autoritetit Portual Durrës.

Gjatë vitit që lamë pas, në kalatat e portit më të madh të vendit janë përpunuar 31 anije me afro 106 mijë tonë mallra, të cilat janë nisur më pas drejt Kosovës. Ndërkaq, gjatë vitit 2018 në portin e Durrësit janë përpunuar vetëm 14 anije me 50 mijë tonë mallra import-eksporti tranzit për Kosovën.

Nga të dhënat statistikore portuale, mësohet gjithashtu se nga Durrësi drejt Kosovës janë nisur mallra të ndryshme tranzit, kryesisht materiale ndërtimi, si llamarinë (36,803 tonë), hekur (32,162 tonë), xhama (13,380 tonë), etj.

Veç këtyre, në portin e Durrësit janë përpunuar edhe mallra të tjerë si grurë, çimento, melaminë apo plehra kimikë, me destinacion Kosovën.