Numri prej disa dhjetëra mjetesh të shtrenjta të sekuestruara gjatë ditëve të fundit nga organet e rendit duket se është vetëm maja e ajsbergut.

Scan ka zbardhur të dhënat zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme sipas së cilës vetëm gjatë dy viteve të fundit janë hetuar 274 mjete të trafikuara.

Po sipas të dhënave të prokurorisë rezulton se shumë pak prej këtyre hetimeve kanë përfunduar me kallëzim penal në Gjykata, ndërkohë që rezultojnë në total vetëm 8 të dënuar për veprën penale të trafikimit të mjeteve motorike.

Tirana është qyteti me numrin më të madh të procedimeve për trafikimin e makinave në vitin 2016, me 27% të totalit.

Pas Kryeqytetit, numrin më të madh të hetimeve për trafik makinash e ka Durrësi, me 15% të totalit. Prokuroritë e Vlorës dhe Fierit kanë proceduar respektivisht 8% dhe 7% të totalit për vitin e shkuar.

Trafikimi i mjeteve motorike parashikohet nga neni 147 i Kodit Penal. Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi në kundërshtim me ligjin, i mjeteve motorike të vjedhura, me qëllim fitimi material ose çdo përfitim tjetër, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose sjell pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet./Scan