Bashkia e Shijakut ka ngritur mëngjesin e sotëm katër grupe vlerësimi prej 4 personash, njëri prej të cilëve është inxhinier ndërtimi dhe një tjetër nënkryetar bashkie.

Këto grupe po bëjnë në terren verifikimin e dëmeve në banesat e dëmtuara apo ato të shpallura të pabanueshme. Kryebashkiaku i Shijakut, Elton Arbana bën të ditur se numri i banesave të pabanueshme vazhdon të mbetet 15.

Ndërkohë që mund të ketë rritje të numrit të banesave të dëmtuara që deri më tani janë 95, pasi gjatë orëve të fundit janë regjistruar ankesa nga qytetarët e Shijakut dhe njësive administrative për dëmtime të ndryshme në shtëpitë e tyre.

Në njësitë administrative të Bashkisë së Shijakut janë vendosur 6 çadra nga të cilat tre në Maminas, një në Goxhas dhe dy në Gjepalaj ku janë sistemuar 22 persona në total.

Ndërkohë që dy familje nga Bashkia Shijak janë sistemuar në Kavaleshencë dhe po mendohet dërgimi i një tjetër familjeje, shtëpia e të cilës është e pabanuseshme.

Kryebahskiaku Arbana bën të ditur për "DurrësLajm" se po mendohet instalimi i një çadre edhe në Shijak por që kjo do të vendoset në orët në vazhdim pasi një pjesë e madhe e banorëve të qytetit zgjedhin të strehohen në banesat e të afërmve të tyre.

Prej ditës së djeshme në terren janë 4 grupe inspektimi prej 8 personash, pjesë e stafit të bashkisë: Ndërkohë që në disa raste psikologët kanë ofruar ndihmë vullnetare për të asistuar fëmijë ose familje të traumatizuar nga lëkundjet e forta të së shtunës.