Një ngjarje e rëndë ndodhi mesditën e sotme në Durrës, ku një 10-vjeçar nga Kosova humbi jetën në pishinën e një kompleksi.

Top Channel shkruan se familja Tërnalla nga Prishtina sapo kishte mbërritur në kompleksin turistik që ndodhet te Shkëmbi i Kavajës për të kaluar pushimet verore.

E ndërsa anëtarët e familjes po akomodoheshin në dhomën e hotelit, 10-vjeçari është shkëputur për t’u futur në pishinë ku dhe ka gjetur vdekjen.

Një pushuese e hotelit tregon se ambulanca është vonuar për rreth 40 minuta ndërsa të miturit i ka ardhur në ndihmë një mjek i ri që ndodhej në këtë zonë, por ishte e kotë pasi ishte shumë vonë për të shpëtuar 10-vjeçarin.

Sipas TCH, i vetmi punonjës që ka qenë i pranishëm në çastin e ngjarjes ishte punëtori i shezlongëve, i cili sot ishte në ditën e parë të punës.

Policia vijon hetimet për nxjerrjen e përgjegjësisë për sigurinë në pishinë.