Porti i Durrësit vazhdon të jetë destinacion i preferuar i jahteve dhe kroçerave me turistë nga vende të ndryshme të botës. Që nga fillimi i vitit në kalatat qendrore të portit më të madh të vendit janë akostuar 18 kroçera me 3,834 turistë nga më shumë se 50 vende, ndërsa numri i jahteve arrin në 427.

"Të dielën e kësaj fundjave pritet të mbërrijë kroçera “Nautica”, e cila ka nisur një udhëtim turistik në disa porte të Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë. Ndërkaq, sot në mëngjes në kalatën nr. 5 është akostuar edhe jahti turistik “Golden Odyssey” me gjatësi 110 metra, i cili ka lundruar gjatë natës së kaluar nga Tivati (Mali i Zi) drejt Durrësit",– njofton Autoriteti Portual Durrës.