Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka lënë në burg, Redjan Rrajën, i arrestuar për atentatin me armë zjarri të ndodhur më 1 nëntor te mbikalimi i Shkozetit në Durrës.

Trupa gjykuese e Apelit që ka shqyrtuar sot ankimin e 34-vjeçarit përbëhej nga Saida Dollani, Nure Dreni dhe Albana Boksi.

Rraja përmes avokatit të tij, Besnik Çerekja kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë "arrest me burg" të dhënë nga gjykata e shkallës së parë për Krimet e Rënda. Nga ana tjetër prokuroria kërkoi lënien në fuqi të masës "arrest me burg" deri në përfundim të hetimit.

34-vjeçari akuzohet nga prokuroria si një nga atentatorët ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, Aleksandër Lahos i njohur ndryshe si "Rrumi i Shijakut", dhe shoferi Andi Maloku, i cili ndërroi jetë pak ditë më vonë në spital.

Në makinën e braktisur në Shkafane u gjetën syzet dhe shenjat e gishtërinjve të Rrajes si dhe dy automatikë të cilët sipas ekspertizës janë përdorur në vendngjarje.