Produkte nga i gjithë vendi grumbullohen e tregtohen në tregun e Durrësit pa asnjë etiketë apo certifikatë origjine, ku konsumatori të njihet me vendin prodhues të produktit, përbërjen organike apo praninë e pesticideve, e modifikuar gjenetikisht, etj.

Konsumatori nuk di asgjë sepse në treg nuk ka asnjë rregull për sigurinë ushqimore. Tregtarë e qytetarë me aparate të ndryshme të matjes së pesticideve po mbrojnë veten dhe klientët e tyre duke përzgjedhur produkte që mund të jenë sa më afër organikes apo brenda standartit të pranuar të lejimit të kimikateve në fruta e në perime.

Drejtori i AKU në Durrës, Martin Jorgaqi në një intervistë për “DurrësLajm” tha se nuk mund të shprehet nëse aparaturat e matjes se pranisë së nitrateve që bëjnë skuqjen e frutave dhe perimeve para kohe e cila po përdoret nga tregtarë e konsumatore është e mirë apo e keqe.

Ato masin praninë e kripërave minerale që gjenden në frut ose perim për pjekje. Sipas tij duhen specifikuar normat e referencës mbi të cilin është certifikuar një aparaturë e tillë.

Autoriteti Kombëtar Ushqimor është institucioni që certifikon produktin final pasi vilet nga pema. Sipas Jorgaqit, nga sigurimi i farave, rritja, pjekja e frutit prej fermerëve janë autoritete të tjera që kontrollojnë proceset, është drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit.

K.H.