Edhe këtë sezon veror sheshi i projektit “Veliera” rrezikon të mbetet “varr i hapur” për qytetarët e turistët e shumtë. Të gjitha vonesat që shkaktohen nga gjykata apo nga gjykatës me emër të përveçëm rëndojnë direkt në xhepat e biznesmenëve e qytetarëve durrsakë e në prishjen e imazhit të qytetit.

Kryebashkiaku Vangjush Dako ka sqaruar të gjithë opinionin publik në lidhje me tenderin prej 600 milionë lekësh që pritet të zhvillohet në datën 2 prill për punime në sheshin e “Velierës”. Dako njëkohësisht ka hedhur poshtë edhe akuzat e ngritura nga zëra të ndryshëm se punimet nisin pa marrë një vendim të prerë nga gjykata.

Investimi ka të bëjë me riveshjen e tunelit, ndriçimin dhe asfaltimin e rrugës “Taulantia”. Nuk ka punime në zonën arkeologjike A, e nuk do të ketë për aq kohë sa nuk ka vendim të formës së prerë.

Por kryebashkiaku u ndal te vendimi gjyqësor. Sipas tij, gjykata administrative në Durrës po bëhet shkak i vonesave të padiskutueshme për “Velierën”. Çështja u zvarrit për nëntë muaj, ndërsa prej një muaji gjykatësi nuk zbardh vendimin.

Vendimi i datës 13 shkurt të 2018-s i gjykatës administrative në Durrës nuk ka pajtuar asnjë prej palëve. Ashtu si shoqëria civile, edhe bashkia e Durrësit e kanë apeluar vendimin.

Që gjykata e Apelit të vijojë procesin duhet që të dorëzohet vendimi i zbardhur. Në mungesë të  këtij vendimi procesi nuk zhvillohet. Ligjërisht ka kapërcyer çdo afat të zbardhjes së vendimit.

Vendimi i zbardhur duhet të bëhej brenda 7 ditësh nga marrja e vendimit.

K.H.