Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela. Trupa gjykuese e përbërë nga Roland Ilia, Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari pasi hetuan dhe shqyrtuan dokumentacionin vlerësuan që Prela e kalon vettingun. Kryesuesi Roland Ilia u shpreh se vendimi për drejtuesen e Krimeve të Rënda u shty nga data 29 janar kur ishte parashikuar për ditën e sotme për të verifikuar denoncimet në media, referuar akuzave nga Partia Demokratike. Sipas trupës gjykuese, në përfundim të verifikimeve nuk kishte asnjë indicie për të rihapur hetimet duke e konfirmuar kështu në detyrë.

Por çfarë ndodhi në seancën dëgjimore? Kolona e pasurisë rezultoi me probleme për drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela. Sipas raportit të Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive, zonja Prela kishte probleme me deklarimet e pasurisë, çka u konfirmua dhe nga hetimet e KPK-s. KPK konstatoi se bashkëshorti i zonjës Prela, Vangjel Prela prej 2003-shit deri në 2011-n kishte marrë pagesën nga një kompani ndërtimi cash duke shmangur pagesën e sigurimeve shoqërore dhe tatimet.

Kjo gjetje u cilësua si shkelje edhe nga operacioni ndërkombëtar i monitorimit, ku përfaqësuesi i ONM Teo Jacobs e cilësoi si një shije të keqe duke pyetur zonjën Prela. ONM gjatë fazës së hetimit i kishte drejtuar Prelës dhe pyetje për procesin ndaj Emiliano Shullazit pretenca e të cilit u bllokua për disa muaj si dhe procesin ndaj shtetasit L.R të hetuar nga Prela kur ishte drejtuese në Durrës. Po ashtu KPK gjatë hetimit gjeti edhe dy hua të konsideruara si të dyshimta një 15 mijë euro të marrë nga familja Prela tek një kushëri i tyre dhe një hua tjetër në të cilën bashkëshorti i kryeprokurores kishte ndërhyrë për ta marrë një person i tretë.