Një tjetër person është arrestuar nga policia lidhur me grabitjen e ndodhur në Rinas në datën 9 prill.

I arrestuari që dyshohet si bashkëpunëtor i grabitësve, është një pjesëtar i stafit në pjesën cargo (zona ku përpunohen mallrat dhe lekët e bankave). Dyshohet se personi ka njoftuar për futjen e parave në pistë, orarin dhe lëvizjet.

Prokurorët e kësaj dosjeje prej katër ditësh janë duke marrë në pyetje pjesëtarë të stafit në aeroport dhe kompanisë së sigurisë në aeroport (ICTS). Operacioni i nisur që nga pasditja e të premtes vijon edhe ditën e sotme.

Nga ky hetim është zbuluar edhe përfshirja e personave të tjerë të cilët tashmë janë shpallur në kërkim.

Në grabitjen e ndodhur në Rinas në datën 9 prill u morën mbi 6 milionë euro në vetëm pak minuta, teksa grabitësit u futën në pistë me një furgon të modifikuar "Hetimi tatimor".

Pas largimit të grabitësve gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë u vra Admir Murataj i cili dyshohet se ishte edhe organizatori i kësaj vjedhje spektakolare.

Deri më tani policia ka vënë në pranga 6 persona të dyshuar si të përfshirë në grabitje, Ragip Hajdini, Elton Pikli, Alkond Bengasi, Renaldo Sulaj, Oltjan Veseli dhe Saimir Cela dhe janë shpallur në kërkim Klement dhe Eldi Çala.