Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të shqyrtojë sot kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda mbi tre gjyqtarët e Apelit në Durrës, të cilët akuzohen për korrupsion. KLD pritet të shkarkojë gjyqtarët Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Ceno.

Krimet e Rënda i kërkuan KLD pezullimin e tre gjyqtarëve, pasi sipas burimeve të Prokurorisë në dosjen hetimore kundër tyre është administruar përgjigjja e autoriteteve spanjolle se nëpërmjet kartës së kreditit të shtetasit Fatjon Pula, kushëriri i shtetasit Namik Sadiku, i cili ishte palë e paditur në një proces civil që gjykohej nga tre gjyqtarët, ata kanë qëndruar në ambientet e një hoteli në Spanjë.

Qëllimi i kësaj vizite ishte për të ndjekur derbin “El Clasico” mes Real Madrit dhe Barcelonës. Është vërtetuar, sqaroi Prokuroria, se Fatjon Pula ka paguar 450 euro për qëndrimin e tre gjyqtarëve në hotel. Ndërkohë në kërkesën e saj, organi i Akuzës shtoi se dhe shpenzimet e tjera si bileta e udhëtimit dhe bileta e hyrjes në stadium, ka dyshime të forta se është paguar nga shtetasi Namik Sadiku.

Nisur nga kjo situatë dhe krijimit të dyshimit të arsyeshëm, Prokuroria i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Krimeve të Rënda, për pezullimin nga detyra të tre gjyqtarëve të Apelit Durrës Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Ceno.

Prokuroria iu drejtua KLD-së për pezullimin e këtyre gjyqtarëve, pas rrëzimit të kërkesës së saj nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, e cila e cila refuzoi të marrë në shqyrtim kërkesën e organit të Akuzës.