Nga sot, mbeturina urbane të bashkisë së Shijakut kanë nisur të depozitohen në landfillin e Sharrës.

Shijaku bëhet kështu bashkia e dytë pas Durrësit, që i depoziton mbetjet aty, megjithëse kryebashkiaku Elton Arbana konfirmon për “DurrësLajm” se që nga periudha e mbylljes së fushës së depozitimit të mbetjeve në Porto Romano, mbeturinat e qytezës së vogël përfundonin në Sharrë. Gjithsesi procedura nuk ishte e drejtpërdrejtë, por bëhej përmes kamionëve të NSHK Durrës, ndërsa nga dita e premte kamionët e NSHK Shijak shkojnë drejtpërdrejtë në Sharrë.

Kryebashkiaku sqaron se kostoja e depozitimit në Sharrë do të mbulohet nga qeveria Rama, ndërsa transporti nga buxheti i bashkisë.

Krahas studimit të fizibilitetit për vendin e depozitimit të mbetjeve të Durrësit, një studim tjetër po bëhet për të gjithë qarkun, pasi sipas gjasave mbeturinat urbane të të tre bashkive Durrës, Shijak dhe Krujë pritet të depozitohen në Sharrë gjatë viteve të ardhshme.

Në bashkinë Shijak është mbyllur vendgrumbullimi i mbetjeve prapa varrezave të qytetit dhe po punohet për mbulimin e tyre.

Vendgrumbullimet e mbetjeve në qarkun Durrës kanë përbërë për shumë vite një problem të mprehtë mjedisor.  Prej më shumë se një viti, venddepozitimi në Porto Romano u mbyll për t’u transformuar në Eco Park, projekt i cili tashmë është drejt përfundimit.

Mbyllja e tij u shoqërua fillim qershorin e kaluar me një situatë mjaft problematike në qytetin bregdetar, pasi për rreth një javë plehrat nuk u tërhoqën duke krijuar një panoramë të shëmtuar për turistët e parë që po mbërrinin në Durrës.

Një situatë e ngjashme u përsërit edhe një javë më parë, kur pirgjet me plehrat e patërhequra u përsëritën në qendër të Durrësit dhe zonat periferike. Gjithsesi situata duket se mori zgjidhje të shpejtë, disa ditë më pas.

Deri tani, kostoja e depozitimit të mbetjeve urbane të bashkive në Sharrë është mbuluar nga qeveria, sepse me buxhetin vendor është e papërballueshme shifra e shpenzimeve. Nëse pas studimit të fizibilitetit, landfilli i Sharrës do të mbetet opsioni më i mirë për depozitimin e mbetjeve nuk është ende e qartë sesi do të operohet në vitet në vazhdim dhe për sa kohë qeveria do të paguajë koncesionarin nga paratë e buxhetit të shtetit.

Një nga zgjidhjet pritet të jetë rritja e taksës së pastrimit që paguajnë në vit qytetarët dhe bizneset në bashkitë e qarkut Durrës.

M.B.