Burime zyrtare bëjnë me dije për “DurrësLajm” se nga muaji mars, kohë kur nisi pandemia në vendin tonë, dhe deri më 15 tetor, në Spitalin Rajonal Durrës janë paraqitur 9967 qytetarë të dyshuar si të infektuar me Covid-19.

Nga këto, 1276 persona kanë kryer tamponin, ku 476 kanë rezultuar pozitivë ndërsa 572 negativë. Mësohet se nga Durrësi drejt spitalit Infektiv në Tiranë janë transferuar 158 persona, të cilët kanë paraqitur gjendje shëndetësore më të rënduar për shkak të virusit.

Drejtoresha Nadire Jani sqaron se në spitalin e Durrësit priten të infektuarit me Covid-19 por nuk bëhet mjekimi apo shtrimi i tyre, ndërsa shpjegon ambientet e posaçme dedikuar atyre.

“Në spitalin e Durrësit priten pacientët që janë të infektuar me Covid, nuk bëhet trajtimi, mjekimi apo shtrimi i tyre. Pacientët që janë të dyshuar me Covid, që vijnë nëpërmjet numrit 127, ose vetë drejtpërdrejtë, bëhet triazhimi në hyrje të Urgjencës dhe ato që kanë problem të dyshimit për Covid, kalojnë në ambientet e brendshme të Urgjencës. Janë dy ambiente, një ambient majtas me 7 shtretër dhe një ambient djathtas me 3 shtretër. Është edhe një dhomë reanimacioni me dy shtretër. Ndërsa për Covidin janë 4 dhoma, dy nga këto janë më tre shtretër që janë me oksigjen, dhe dy dhoma të tjera janë me nga 2 shtretër pa oksigjen.”, thotë ajo.

Më tej, doktoresha Jani shprehet se në varësi gjendjes së pacientëve, bëhen edhe udhëzimet e mjekëve.

Nëse gjendja e të infektuarve është e qëndrueshme, ata izolohen në banesat e tyre. Në rast se paraqesin vështirësi në frymëmarrje, transferohen në spitalet Covid edhe nëse ende nuk është marrë përgjigjja e tamponit.

“Pacientët vizitohen nga mjeku i Urgjencës, bëhen ekzaminimet e gjakut, nëqoftëse ka dyshime bëhet skaneri dhe tampon. Në varësi të situatës, në varësi të gjëndjes, në momentin që pacientët nuk kanë marrje fryme shkojnë në shtëpi me udhëzimet përkatëse, nëqoftëse kanë marrje fryme dhe kjo shoqërohet edhe me ulje të oksigjenimit në gjak të pacientëve, atëherë bëhet konsulta e zgjeruar dhe mund të bëhet transferimi në spitalet Covid në Tiranë, edhe pa pritur përgjigjen e tamponit.”, përfundon Jani.

G.D.