Pas shqetësimit të ngritur një ditë më parë nga DurrësLajm për ndalimin e autobuzëve me shtetas kosovarë që vijnë të kalojnë pushimet në plazhin e Durrësit, vjen reagimi i bashkisë së qytetit bregdetar.
I kontaktuar nga DurrësLajm, zëdhënësi i bashkisë shprehet se në rrugën “Pavarësia” në plazh është ndaluar kalimi i autobusëve me pushues nga Kosova ose autobusëve të linjave ndërqytetase për të mos bllokuar trafikun në aksin në fjalë.
Sipas të njëjtit burim, të gjithë këto mjete janë udhëzuar të kalojnë nga rruga dytësore, e inauguruar rreth një muaj më parë, ose nga Unaza.
Sipas të njëjtit burim, autobusët me pushues nga Kosova do t’i ndalojnë pasagjerët vetëm disa metra larg rrugës “Pavarësia” nga ku ata mund të shkojnë më pas drejt destinacionit të tyre.
Në rrugën “Pavarësia” tani lejohen vetëm autobusët me turistë të huaj që kanë destinacion të përcaktuar në hotelet përgjatë vijës bregdetare.
Por ky vendim i bashkisë ka sjellë reagimin e pushuesve kosovarë, të cilët ndryshe nga vitet e tjera detyrohen në mes të vapës të sorrollaten me valixhe dhe fëmijë të vegjël për të gjetur një vend për të kaluar pushimet në plazhin e Durrësit.
Nëse do duan të akomodohen në ndonjë hotel apo dhoma me qira në sektorin Apollonia, Teuta, Hekurudha apo Iliria pushuesve nga Kosova u duhet të faturojnë ndonjë taksi apo të marrin autobuzin e linjës Durrës-Plepa për të shkuar në destinacion. Dhe e njëjta gjë i pret edhe në kthim, sepse bashkia nuk bën të ditur se ku do të jetë vendqëndrimi i autobuzëve që do t’i shpien shtetasit nga Kosova në qytetet e tyre të origjinës.
Pasi kanë populluar për vite të tëra plazhin e Durrësit, duke sjellë të ardhura të konsiderueshme për ekonominë e qytetit bregdetar, bizneset dhe qytetarët që lëshonin dhoma me qira, pushuesit kosovarë përballen këtë vit me peripeci të shumta.
Një ditë më parë, shumë prej tyre thanë për DurrësLajm se do të zgjedhin destinacione të tjera për të kaluar pushimet si Ulqini apo qytete të tjera bregdetare në Shqipëri.
Pasojat e largimit të tyre do t’i ndjenë të parët mijëra biznese sezonale që lulëzojnë në plazhet e vijës bregdetare të Durrësit nga sektori Teuta e deri në Shkëmbin e Kavajës.