Sali Lushaj, babai i këngëtarit të njohur të rrepit, Stresi, ka paditur në Gjykatën e Tiranës deputetin e Partisë Socialiste, Taulant Ballën.

Mësohet se kallëzimi është bërë në Gjykatën e Tiranës nga Lushaj dhe Gjomakaj, të cilët kërkojnë 2 milionë lekë dëmshpërblim nga deputeti socialist.

Sali Lushaj dhe Avdyl Gjomakaj u përmendën nga Taulant Balla në një lidhje telefonike me emisionin “Opinion” në Tv Klan më 11 tetor, kur po diskutohej për video-përgjimin e Fredi Alizotit dhe dosjen “Babalja”.

Deputeti Balla i quajti Sali Lushajn dhe Avdyl Gjomakajn “anëtarë të bandës së Sali Berishës”.

“Kërkova të ndërhyj në emisionin tënd për të sqaruar opinionin publik. Më vjen keq që dhe ju nuk e keni verifikuar, po dy numrat e telefonit që ju publikuat janë të personave anëtarë të bandës së Sali Berishës. Anëtar i bandës së Sali Berishës quhet Sali Lushaj dhe anëtar i bandës së Sali Berishës, Avdyl Gjomakaj. Tani nëse dhe mua më bëni anëtar të bandës së Sali Berishës…”, tha Taulant Balla ndër të tjera gjatë lidhjes telefonike me emisionin.

Kujtojmë se Balla ka vënë në qendër të sulmeve të tij Lushajn edhe herë të tjera, kur ky i fundit ishte pjesë e një proteste të organizuar nga PD-ja në dhjetor të vitit të kaluar, duke e cilësuar atë si njeri të besuar të Berishës.