Skenat e rënda të konfliktit të ditëve të fundit që u shënuan në terminalin e teageteve në Durrës si rezultat i vonesave të trageteve u bënë shkak për mbledhjen emergjente të Komitetit të Sigurisë në portin e Durrësit ditën e sotme,  në prani edhe të Prefektit të Qarkut, z.Roland Nasto.

Kreu Ekzekutiv i APD-së, Afrim Bakaj dhe prefekti pohuan se institucionet duhet të bashkepunojnë për të shmangur ankesat e pasagjerëve. Nasto tha se lidhur me incidentin e regjistruar më datë 11 gusht, në sheshin e trageteve në Portin e Durrësit ka filluar procedimi penal.

“Raste të tilla nuk duhet të tolerohen brenda territorit të Portit të Durrësit, ndaj marrë shkas nga ky rast, ju kërkoj angazhim maksimal duke nisur nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit, Kapitenerisë, Forcës së Sigurisë Portale dhe operatorëve privat, shërbim sa më dinjitoz dhe qytetar nga punonjësit dhe shmangie të vonesave nga Agjencitë lundruese”, tha Bakaj.

“Pasagjerët po trajtohen si skllevër. Në portin e Durrësit nuk ka asnjë tendë për hije, as për makinat as për njerëzit. Nuk kanë ujë, tualete dhe detyrohen të qëndrojnë në pritje me orë të tëra” pohoi kapiteni Taulant Allka dhe oficeri sigurise Dritan Prifti duke i bërë thirrje autoriteteve portuale të marrin masa.

Edhe agjensitë e lundrimit ngritën ankesa ne drejtim të kushteve të munguara.

Lidhur me rastin, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës bën të ditur se: “Në lidhje me një incident që ka ndodhur më datë 11.08.2018 në sheshin e trageteve në Port – Durrës, informojmë se: Konflikti ka nisur midis ekuipazhit të tragetit të linjës Bari -Durrës-Bari dhe pasagjerëve. Pasagjerët ishin acaruar pasi  kishin disa orë që prisnin për ti nisur për udhëtim, por trageti kishte pësuar defekt dhe kishte njoftuar se do të kishte vonesë në nisje.