Mëngjesin e 31 gushtit do të startojë edicioni i dytë i kalimit me not të kanalit të Korfuzit nga një numër notarësh të huaj.

70 notarë nga Britania e Madhe, Irlanda, Franca, Holanda Australia do të notojnë përreth 2 milje detare në ngushticën që ndan brigjet shqiptare nga ishulli i Korfuzit.

Megjithëse distanca është mjaft e shkurtër, kjo ngushticë për 45 vite me radhë ka qenë në një nga zonat e ruajtura me rreptësi të madhe për të ndaluar çdo mundësi komunikimi midis brigjeve të dy vendeve.

Për këtë arsye organizatorët e këtij aktiviteti mendojnë se nëpërmjet aktiviteteve të tilla kjo ngushticë mund të rikthehet përsëri si një urë komunikimi midis ishullit të Korfuzit dhe brigjeve shqiptare, duke promovuar njëkohësisht turizmin dhe trashëgiminë kulturore.

Kalimi me not i ngushticës nga notarët ndiqet nga një numër i madh banorësh të ishullit turistik si dhe nga autoritetet lokale, të cilët organizojnë edhe një festë modeste në veriun e ishullit të Korfuzit.

Nisja do të bëhet nga vendi i quajtur Pema e Thatë midis Ksamilit dhe Butrintit, në orën 7.30 -08.00 të mëngjesit ditën e shtunë, 31 gusht 2019.