Është marrë në pyetje 63-vjeçari i arrestuar të dielën nga policia kufitare në portin e Durrësit, i cili tentoi të trafikonte 11.3 kilogramë heroinë në drejtim të Italisë.

Bujar Shazivari, banues në Durrës, ka pretenduar se nuk kishte dijeni për drogën e fshehur në kamion ndërsa shtoi se mjetin e kishte marrë të ngarkuar dhe të vulosur.

Policia e ka rrëzuar këtë pretendim duke pohuar se kapja e drogës është bërë mbi bazën e informacioneve paraprake.

Lënda narkotike është gjetur e fshehur në kabinën e kamionit "MAN", me targa shqiptare.

Ka qenë kontrolli i imtësishëm me qen antidrogë që ka gjetur 10 pako të mëdha dhe një tjetër më të vogël ku brenda tyre kishte lëndë narkotike heroinë, që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale për peshimin dhe ekspertimin e plotë i saj.