Është vetëdorëzuar në polici ish-kreu i Aluiznit Durrës, Flamur Gjuzi.

“DurrësLajm” mëson se ai është dorëzuar 10 ditë më parë. Pas rreth 6 muajsh i shpallur në kërkim ai ka kërkuar që të vetëdorëohet. Pas dorëzimit me ndërmjetësim që ka kërkuar, Gjykata e Durrësit e ka lënë në arrest shtëpie.

Mësohet se Gjuzi ka deklaruar se ai nuk e ndjen veten fajtor për akuzat e ngritura ndaj tij, por i është shmangur arrestimit pasi dyshonte për një akuzë tendencioze që i bëhej.

Gjuzi ka qenë në zgjedhjet e fundit kandidat për deputet i LSI-së. Gjyqi për vendosjen e masës së arrestit ndaj Gjuzit është zhvilluar një javë me parë.

Ish-drejtori i Aluiznit në Durrës Flamur Gjuzi, është akuzuar për shpërdorim detyre gjatë periudhës që drejtonte Aluiznin në Durrës. 

Gjuzi ka qenë i shpallur në kërkim, ndaj të cilit Gjykata e Durrësit kishte caktuar në mungesë masën “arrest me burg”, në sajë të mega-operacionit të ndërmarrë në këtë qytet në muajin dhjetor 2019, në lidhje me pasojat e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Më 13 dhjetor, policia ndërmori një valë të gjerë arrestimesh në Durrës, ku në pranga ranë zyrtarë e ish-zyrtarë, ndërtues, arkitekt, inxhinierë si dhe biznesmenë, pasi akuzohen se kanë shkelur ligjin, duke sjellë dhe dëmet e shkaktuara nga tërmeti ku humbën jetën 51 persona.

Ndërkohë mësohet se edhe një numër i madh i të arrestuarve në Durrës kanë kaluar nga arrest me burg në arrest shtëpie. Kjo ka ndodhur për shkak të situatës për shpopullimin e burgjeve nga rreziku që paraqesin zonat e mbyllura nga Virusi Covid 19.