Një ngjarje e rëndë ndodhi në Kavajë rreth orës 00:40, ku gjatë një konflikti u qëllua me amë zjarri një person, si dhe u plagos një tjetër. Mësohet se viktima është Dritan Haxholli, 41 vjeç, një ish i dënuar për lëndë narkotike dhe për krime kundër personit, ndërsa u plagosuri është identifikuar si polici i burgjeve, Bledar Toçi.

Ngjarja e rëndë ndodhi në banesën e 30-vjeçares, Marsida Qatja, ndërsa shkaku i konfliktit dyshohet se ka qenë një dashuri e refuzuar nga e reja. Ndërkohë, lidhur me ngjarjen e rëndë ka folur, Marsida Qatja e cila ka përgënjeshtruar zërat se ajo ka pasur një marrëdhënie intime me viktimën dhe policin që mbeti i plagosur. Qatja shprehet se Haxholli e kërcënonte vazhdimisht dhe se ajo ka kërkuar ndihmën e policit Toçi, pasi e njihte më herët.

Po ashtu, ajo ka pranuar se është e martuar dhe se ka një raport të mirë me bashkëshortin e saj, i cili vuan dënimin me burg në Gjermani. 30-vjeçarja ka theksuar se lajmet e shpërndara në media se ajo ka raporte intime jashtëmartesore janë të pavërteta.

Ajo ka thënë për “News24”, se Dritan Haxholli ka shkuar i armatosur në banesën e saj dhe në momentin që është shquar tek dritarja i ka kërkuar që të futej në banesë, por sipas saj, sapo 41-vjeçari ka hapur derën e dhomës ka qëlluar me arëm në drejtim të policit duke e lënë të plagosur. Pas kësaj ai i është kundërpërgjigjur duke qëlluar me armë në drejtim të tij, duke e lënë atë të vdekur.

“Ndjehem shumë keq. Jo pa qëllim doja të kontaktoja me ju, sepse nuk janë të vërteta fare që ishte ish i dashuri. Personi na kërcënonte, i binte dritares. Kërkova ndihmën e Bledarit, meqë ishim shokë. Nuk mendoja se do arrinte situata deri këtu. Bled tha se do më ndihmonte, meqë isha femër e vetme, me fëmijë. Dritani i ra dritares me armë, unë i kërkova të hynte brenda. Ai filloi të qëllonte. Do na vriste dhe mua me djalin e vogël dhe Bledin, nuk kishte fëmijë e njerëz të tjerë brenda”, tha Qatja.

Sipas raportimeve të mëhershme në media, u tha se Haxholli kishte marrë në telefon ish-të dashurën e tij duke e lajmëruar se do të shkonte në banesë për tu sqaruar. Ai ka shkuar i armatosur ndërsa ka parë që në shtëpinë e ish të dashurës ndodhej edhe Bledar Toçi, që kishte shkuar ta ndihmonte.

Në momentin kur Haxholli është futur në banesë i armatosur me kallashnikov para tij ka dalë polici i burgjeve Bledar Toçi dhe ka tentuar ta ndalë, por i 41-vjeçari e ka qëlluar duke e plagosur. Në këto kushte efektivi ka nxjerrë armën e shërbimit pistoletë dhe ka qëlluar në drejtim të Haxhollit duke e lënë të vdekur.