Një nga ishujt më të populluar dhe më të përparuar të Karaibeve, Barbadosi, ka njoftuar se ka synime për të hequr Mbretëreshën Elizabeth si kreun e shtetit dhe për të kaluar në sistem republike.

Edhe pse Barbados fitoi pavarësinë nga Britania në vitin 1966, Mbretëresha Elizabeth vazhdon të jetë monarke kushtetuese e vendit ndërsa Kryeministre është Mia Mottley, e cila është femra e parë që mban këtë post në vend.

Deklarata në të cilën thuhet se “ka ardhur koha që Barbados të harrojë plotësisht të kaluarën koloniale”, është shkruar nga Kryeministrja dhe është lexuar nga Guvernatori i përgjithshëm para seancës parlamentare.

Kryeministrja Mia Mottley tha se qytetarët duan një kryetar shteti nga Barbados. Ajo synon që ky proces të përfundojë në Nëntor të vitit 2021, që është edhe muaji kur vendi shënon 55-vjetorin e pavarësisë nga Britania.

Korrespondenti i BBC, Jonny Dymond, tha se nga burime brenda Pallatit Mbretëror, ka mësuar se kjo ide nuk shihet si diçka e çuditshme dhe është diskutuar e biseduar publikisht shumë herë.

Ai tha se Pallati Mbretëror këtë çështje e sheh si diçka që i takon vetëm qeverisë dhe popullit të Barbados për ta vendosur.