Nëse problemet e ditëve të fundit me furnizimin me doza vaksinash vijojnë, zyrtarët e lartë të shëndetësisë në Itali bënë me dije se do të rishikojnë programin e tyre të vaksinimit.

Vendi fqinj aktualisht ka reduktuar ndjeshëm vaksinimet ditore për shkak të vonesave të furnizimit nga kompania Pfizer.

Tashmë që dhe kompania tjetër AstraZeneca ka paralajmëruar shkurtime të furnizimit, Italia po mendon seriozisht të ndryshojë planin e vaksinimit në fund të këtij muaji.

Roma zyrtare ka kërcënuar se do të padisë kompaninë Pfizer për këtë problem, e cila javën e kaluar njoftoi uljen e dozave që do të shpërndajë për shkak të një ristrukturimi për të rritur kapacitetet.

Ndërkohë vijojnë të jenë të larta shifrat e të infektuarve me Covid në Itali, ku gjatë 24 orëve janë konfirmuar të infektuar me Covid 13 331 raste të reja dhe kanë humbur jetën 488 persona.

Autoritetet njoftojnë se janë shëruar 16 062 pacientë duke e rritur në 1 871 189 numrin e përgjithshëm të të shëruarve nga Covid.

Me shifrat e sotme, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Itali ka shkuar në 2,455,185 persona mes të cilëve kanë humbur jetën 85,162 qytetarë.