Italia në krizë – Vendi pa fëmijë

04/09/2019 - 10:05

Nataliteti në Itali ka rënie rekord. Rinia ka humbur besimin tek e ardhmja. Tani po krijohet qeveria e 66 brenda 73 vitesh. Borxhet e shtetit dhe papunësia janë të larta. Gjithnjë e më pak italianë mendojnë për bambini.

Mbesa e vogël Livia një vjeç është gjithçka për Luisa-n. Ajo e quan mbesën e saj të vetme plot dashuri “La Bimba”. Çdo verë familja e saj i kalon javët e nxehta të verës në bregdet pranë Romës. E Nonna Luisa ka mall për harenë e fëmijëve dhe familjen e madhe  –  sikurse ka qenë dikur në Itali, na thotë: “Për ne familja ka qenë gjithçka për të cilën kemi sakrifikuar jetën! Nuk ka kuptim, kur nuk ke nipër e mbesa, kur nuk ka fëmijë, të cilëve të mund t’ia pasojmë trashëgiminë tonë.”

Por sot Italia ka ndryshuar. Kuota e natalitetit prej vitesh është ndër më të ulëtat në Europë. Nonna Luisa e di, që ajo ka fat me Livian e vogël. Vajza e saj Serena ishte 39 kur e lindi atë.

Serena e punësuar në aeroport e ka të thjeshtë shpjegimin: Fajin e ka politika. Asnjë qeveri në njëzet vitet e fundit nuk ka ndjekur një politikë moderne për familjen, me lehtësi jetese për nënat në marrëdhënie pune, thotë ajo: „Nëse në aeroportin e Romës do të kishte pasur një çerdhe fëmijësh, ku mund ta çoja unë vajzën time, atëherë unë do të kisha preferuar që qysh në ditën e parë pas lindjes të rifilloja punën. Por kjo ishte e pamundur.

Nëna Luisa vëren, që fëmijët e saj – si shumë të rinj të tjerë në Itali – nuk kanë vendosmëri për ta marrë vet jetën në dorë. Djali Enrico vërtetë ka një punë në një farmaci, por ai ende nuk e ka krijuar familjen e vet. “Brezi i fëmijëve të mi nuk ka më një perspektivë të mirë. Atyre u mungon një projekt i besueshëm për të ardhmen. Jo vetëm sepse ka gjithnjë e më pak punë dhe shteti ua vështirëson jetën, por të rinjtë italianë kanë humbur qëndrueshmërinë, që na karakterizonte neve dikur!”

Luisa kujton me nostalgji kohët e fëmijërisë së saj: “Më kujtohet ende vështrimi i tezeve të mia, ato na përqafonin ne fëmijëve dhe na jepnin dashuri e ndjenjën, se me ne jeta fillon sërish.”

Këmbimi i roleve

Çfarë nuk shkon në Itali?! Sociologët vëzhgojnë, se brezat e dekadave të fundit i kanë këmbyer rolet.

Raffaella CAso, pranë Institutit Kërkimor Eurispes vëren: “Sot nuk ndihmojnë më të rinjtë të moshuarit, por anasjelltas. Gjyshërit ua kalojnë trashëgiminë në imobilje apo kursimet nga pensioni nipërve e mbesave të tyre ose u paguajnë atyre qiranë apo kopshtin e fëmijëve”.

Italianet lindin mesatarisht në moshën 33 vjeç, nëse ato lindin një fëmijë, ato janë më të moshuara krahasuar me europianet e tjera. Shumë gra e burra nuk i shohin më fëmijët si një bekim për jetën e tyre, por si barrë. Enrico, djali i Luisa-s: “Jeta është mjaft e ndërlikuar mes punës, taksave dhe shpenzimeve. Ato pak orë që mbeten të lira në ditë ti do të çlodhesh, të mendosh për veten e të dalësh me miqtë. Një fëmijë të bëhet pengesë për të gjitha këto.”

Enrico-s i pëlqen që është bërë dajë dhe sa herë ka mundësi viziton mbesën e vogël dhe motrën e tij. Familja është e rëndësishme për të, por jo një fëmijë i veti! 42-vjeçari preferon çdo ditë para se të nisë punën në farmaci që ta hajë drekën tek mamaja. Luisa kishte menduar një tjetër të ardhme për fëmijët e saj: “Vërtetë të realizuar nuk e shoh as vajzën e as djalin tim. Serena ndonëse ka studiuar, çfarë merr ajo sot?! Vetëm një punë të paguar keq në një shoqëri ajrore. Shumë vite e kam mbështetur atë financiarisht. Mirë që u martua. Po Enrico?! Hiç gjë?! Edhe për të kisha përfytyruar një të ardhme ndryshe!”

Luisa është e zhgënjyer nga Italia me 66 qeveri në 74 vitet e jetës së saj. Këto qeveri kanë prodhuar shumë kriza dhe pak të ardhme për vendin – pak për të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe të Livias, mbesës së saj të vogël./DW

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Ditët e fundit po krijohet një trend në rritje të qëndrueshme në Itali, për sa i përket bilancit të pandemisë.

Ekonomia e Britanisë së Madhe është në recesion pasi u kontraktua me një rekord 20,4% në tremujorin e dytë nga kriza e koronavirusit dekl

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se qeveria amerikane do të blinte 100 milionë doza të vaksinës eksperimentale të koronavirusit nga f

Bjellorusia është përballur me protesta në rrugë për të tretën natë me radhë, ndërkohë që kryeopozitarja Svyatlana Tsikhanouskaya është l

Bashkëpunëtor i nazistëve, spekulator, nxitës i shkëmbimit të popullsisë: cila është e vërteta për pretendimet lidhur me miliarderin dhe

Kandidati për president i SHBA, Joe Biden ka zgjedhur senatoren Kamala Harris si kandidate për zëvendëspresidente në zgjedhjet e 2020-s.

Më 24 gusht Italia do të aplikojë për here të parë vaksinën anti- COVID te 3 pacientë të prekur.

Pasi Rusia tha se është vendi i parë në botë që mori aprovimin e një vaksinë kundër COVID-19, pas më pak se 2 muaj testimesh, ka reaguar

Qeveria e Libanit dha dorëheqjen pas shpërthimit shkatërrues të javës së kaluar në Bejrut.

Prej disa javësh, bilanci italian i pandemisë karakterizohet nga ulje dhe ngritje domethënëse nga dita në ditë.