Qendra Kombëtare e Uraganëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka dhënë një paralajmërim për Europën. Stuhia tropikale “Ofelia” është shndërruar në uragan të kategorisë së parë, dhe po i drejtohet kontinentit tonë.

Sipas Qendrës së uraganëve, stuhia e radhës e këtij sezoni në Atlantik ndodhet rreth 1 200 km në jugperëndim të Azoreve dhe po lëviz drejt kontinentit të vjetër me erërat e saj që mbërrijnë shpejtësinë 135 km/h.

“Uragani “Ofelia” do ta godasë shtetin-ishull në 30-vjetorin e stuhisë së madhe të vitit 1987, nëse modelet kompjuterike rezultojnë të sakta. Në “dyert” e Britanisë ajo pritet të “trokasë” mbrëmjen e 15 tetorit e pas kësaj trajektorja e lëvizjes parashikohet të jetë në verilindje të Europës”, shkruajnë mediat britanike.

Stuhia e madhe e tre dekadave më parë në Mbretërinë e Bashkuar goditi pikërisht në datat 15 dhe 16 tetor, duke vrarë 22 persona në Britani e Francë.

“Ofelia” është uragani i dhjetë i këtij viti, dhe pason stuhi të një force shkatërrimtare si “Harvey”, “Irma”, “Maria” dhe “Nate”, të cilat shkaktuan kaos në Ishujt Karaibe dhe disa shtete amerikane.