I veshur me kostum, pamje serioze dhe pa bluzën e tij të famshme Mark Zuckerberg, kreu ekzekutiv i kompanisë Facebook, kërkoi ndjesë publike për skandalin e privatësisë që ka dëmtuar emrin e gjigantit të medias sociale të themeluar prej tij më shumë se një dekadë më parë.

Zuckerberg i filloi komentet përballë një komisioni të senatit amerikan duke marrë mbi vete përgjegjësinë që nuk mundi të parandalojë skandalin me firmën Cambridge Analytica, të lidhur me fushatën presidenciale të kandidatit Donald Trump, e cila mori nga Facebook-u të dhëna personale të 87 milion përdoruesve me synimin për të ndikuar tek zgjedhjet.

Zuckerberg u kishte kërkuar falje shumë herë përdoruesve dhe publikut, por kjo ishte hera e parë në karrierën e tij që ai dëshmon përpara Kongresit.

Të mërkurën ai do të dëshmojë përpara një komisioni të ngjashëm të Dhomës së Përfaqësuesve. Në seancat dëgjimore, Zuckerberg jo vetëm po përpiqet të rivendosë besimin e publikut te kompania e tij, por edhe të shmangë forcimin e rregullave federale ndaj Facebook-ut, për të cilat po flasin disa ligjvënës.