TIRANË – Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Edmond Haxhinasto drejtoi sot mbledhjen e Task Forcës për sektorin minerar. Siç informon zyra e shtypit e METE-s, gjatë fjalës së tij ministri Haxhinasto tha se industria minerare është në rrugë të mbarë dhe po punohet që të rritet efikasiteti i këtij sektori.

Sektori minerar është një degë e rëndësishme e ekonomisë shqiptare në bilancin tregtar, në zhvillimin e zonave rurale dhe veçanërisht në rritjen e nivelit të punësimit. “Rreth 10 mijë vende të reja pune janë krijuar në këtë sektor vetëm vitin e kaluar, nënvizoi ministri, duke shtuar se punësimi do të vazhdojë të rritet edhe gjatë vitit në vazhdim”.

Më pas z. Haxhinasto theksoi nevojën për veprim të shpejtë për eleminimin e problematikave në këtë sektor. Ndër të tjera ai tërhoqi vëmendjen për një koordinim më të mirë të punës mes institucioneve të ndryshme me qëllim që disa fenomene negative të eleminohen në industrinë minerare.

“Duhet t’i jepet fund paligjshmërisë në shfrytëzimin e pasurisë kombëtare, duke realizuar në këtë mënyrë rritjen e efikasitetit të sektorit minerar dhe përfitim më të madh nga ana e komunitetit”, tha ministri Haxhinasto.

Në këtë mbledhje merrnin pjesë përfaqësues të lartë nga institucione të ndryshme shtetërore si Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Reparti i Inspektim Shpëtim Minierave (RISHM), Inpektoriati i Punës, Drejtoria e Tatim Taksave, Kompania ACR, Drejtoria e Policisë së Bulqizës apo edhe përfaqësues të pushtetit vendor si Kryetari i Bashkisë dhe Prefekti i Bulqizës. 

Pika të tjera që ministri Haxhinasto shtroi gjatë mbledhjes ishin edhe çështja për uljen e kostos së operimit dhe rritjes së sigurisë në punë, ku institucione si AKBN, RISHM dhe Inspektoriati i Punës duhet të koordinojnë punën më mirë mes tyre.

Gjithashtu ministri kërkoi rritjen e vlerave që përfitohen nga industria minerare, duke vënë theksin tek fuqizimi i segmentit pasurues të kësaj industrie. Ai theksoi se komuniteti duhet të përfitojë më shumë nga kjo industri nga përfitimi i rentës minerare si dhe nga investimi në infrastrukturën e këtyre zonave. Në përfundim u diskutua për hapat ligjorë dhe organizativë që do të ndërmerren për realizimin e detyrave të lëna.