Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka nuk përjashton mundësinë që në zgjedhjet lokale të vitit 2019 të kandidojë me siglën e PAA-së në Durrës.

I pyetur nga CNA.al, nëse në 2019 mund të kandidojë si një nga rivalët në garë për kreun e bashkisë së Durrësit ashtu siç u përfol para fushatës së vitit 2015, Duka përgjigjet: “Është vonë për të folur për kandidimin tim të vitit 2015, dhe herët për të folur për atë të vitit 2019, sepse jemi në një kontekst tjetër. Une kam besim ne arritjen e nje marreveshje produktive me Partine Demokratike dhe PAA do te kete mundesine te garoje per nje apo dy bashki .Gjithsesi nuk e përjashtoj si mundësi sepse do të ishte një krenari konkurimi me siglën e PAA-së në Durrës. Deri atëherë do të punojmë fort për të ngritur infrastrukturën e nevojshme për të përballuar zgjedhjet”.

Intervista e plotë e Dukës dhënë për CAN.al:

Duka, poli i tretë u duk deri diku një lëvizje që mund të godiste dy polet e mëdha PD – PS, por më pas heshtje. Çfarë ka ndodhur?

Duhet të them që në fillim që nuk është një lëvizje që kërkon të “godasë” polet e mëdha, por një angazhim politik që rrjedh nga domosdoshmëria e kontekstit shqiptar. Partitë alternative, apo të vogla, kërkojnë ti japin një zgjdhje papjekurisë së sistemit politik, i cili kërkon një balancim të pushtetit, nëpërmjet përfaqësimit të asaj pjese të shoqërisë që nuk gjen zgjedhje tek partitë e mëdha. Si pasojë ne nuk kemi heshtur, por jemi duke ndjekur me vëmendje zhvillimet që lidhen me Reformën Zgjedhore, e cila duhet të sigurojë përfaqësimin e të gjitha shtresave, grupimeve, nevojave të qytetarëve.

Ndoka, Dule dhe Shehi janë anëtarë të Komisionit të posaçëm për Reformës Zgjedhore, dhe do kenë vëmendjen e duhur ndaj problematikave që ne si grupim keni manifestuar me kohë. Nëse Reforma do të kryhet pa pasur parasysh ato që janë kërkesat tona, ne do të vijojmë betejën tonë politike për të përfaqësuar, sipas strategjive që kemi përcaktuar bashkarisht, elektoratin tonë.  Sa për Blushin, ju e njihni mendimin dhe gatishmërinë time ndaj kthimit të tij në politikën aktive, dhe jam i bindur që ai do të kthehet sërish. Gjithsesi në misionin e ri që ka ndërmarrë po jep një kontribut të madh në ndërgjegjësimin dhe informimin e qytetarëve, duke dëshmuar se burrat fisnik dhe të talentuar gjejnë gjithmonë një mënyrë për të dhënë kontributin e tyre për vendin.

Aleanca me Bashën, a do shkoni bashkë në zgjedhjet lokale?

Sigurisht që aleanca me Bashën vazhdon, si pasojë e qëndresës sonë opozitare ndaj mazhorancës dhe në mënyrë konseguente me ato që kanë qenë qëndrimet tona për zgjedhjet, për politikat bujqësore dhe vizionin tonë për rendin dhe sigurinë. Por, ndryshe nga zgjedhjet e shkuara, në ato të 2019, Partia Agrare Ambientaliste synon të testojë forcën e saj dhe mbi të gjitha të ofrojë alternativën e saj për të gjitha ato bashki ku komponenti rural është i rëndësishëm. Gjithashtu ne kemi ambicje për të përfaqësuar PAA-në në pjesën dërrmuese të këshillave bashkiakë, jo vetëm sepse e kemi këtë kapacitet, por sepse zonat rurale, që i janë bashkangjitur bashkive, janë të papërfaqësuara. Është detyra jonë që në këto katërmbëdhjetë muaj të ngremë kapacitetet e PAA-së në nivelin e e pritshmërive që krijuam përpara zgjedhjeve të shkuara.

Më andej, duke matur edhe integritetin e qëndrimeve të aleatëve tanë, vullnetin për të kryer një reformë zgjedhore realisht pozitive, propozimet e tyre mbi alternativën e qeverisjes në pushtetin vendor, do të zgjedhim formulat e bashkëpunimit.

A do kandidoni ju në Durrës sikurse pritej në vitin 2015?

Është vonë për të folur për kandidimin tim të vitit 2015, dhe herët për të folur për atë të vitit 2019, sepse jemi në një kontekst tjetër. Une kam besim ne arritjen e nje marreveshje produktive me Partine Demokratike dhe PAA do te kete mundesine te garoje per nje apo dy bashki .Gjithsesi nuk e përjashtoj si mundësi sepse do të ishte një krenari konkurimi me siglën e PAA-së në Durrës. Deri atëherë do të punojmë fort për të ngritur infrastrukturën e nevojshme për të përballuar zgjedhjet.

Qeveria dhe politika e saj në bujqësi?

Ndryshe nga mandati i parë, ku premtuan shumë dhe mbajtën shumë pak, të dytin e kanë nisur me një farë vëmendje ndaj bujqësisë. Për shembull subvencionet këtë vit kapin një vlerë më të lartë se vitin e shkuar; autoritetet europiane është akredituar AZHBR-ja, fakt që lejon përfitimin e fondeve europiane nga fermerët shqiptarë. Të gjitha këto janë lajme pozitive, por që kanë nevojë për politikat e duhura që kanë nevojë për ekspertë  të sprovuar në hartimin dhe implementimin e tyre; të cilat duhet të shoqërohen me një strategji të mirëfilltë dhe të zgjasin në kohë për të dhënë efektet e dëshirueshme.

Një shembull negativ mbi ndryshimin e shpeshtë të qasjeve në bujqësi janë subvencionet. Skema e re e këtij viti garanton më shumë fonde, por ka në brendësi disa papajtueshmëri dhe kritere që rrezikojnë të përjashtojnë 90% të fermerëve shqiptarë. Për këtë duhet shumë kujdes dhe vëmendje. Nisur nga ky shqetësim i fermerëve, në datën 4 prill, PAA do të mbledhë një tryezë të rrumbullakët mbi subvencionet, problemet dhe alternativat. Do të jenë të pranishëm jo vetëm agronomë dhe ekspert të politikave bujqësore, por edhe fermerë që do të flasin për eksperiencat e tyre me subvencionet./ CNA.al

Intervistë ekskluzive/ Agron Duka “hap letrat” për Lulzim Bashën, polin e tretë dhe Edi Ramën