Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur marrëveshje për koalicion qeverisës.  Lideri i LVV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa, u takuan të martën në mbrëmje në praninë e përfaqësuesve të vendeve të Quint-it dhe përfaqësueses së BE-së në Kosovë. Pas takimit, i mandatari për kryeministër, Albin Kurti tha se nuk mund të ketë marrëveshje me zotim të njëanshëm.

“Zotimi duhet të jetë i dyanshëm”, theksoi ai. “Ne nuk pranojmë të negociojmë në stilin merre ose lëre”, tha Kurti.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas takimit ka thënë që partia e tij është e bindur që propozimin që ia ka ofruar Lëvizjes Vetëvendosje, në kohët e fundit,është një zgjidhje që i kontribuon marrëveshjes për bashkëqeverisje dhe e cila krijon baraspeshë mbi suazat e votës dhe besimit të qytetarëve që kanë marrë në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar.

“U shprehëm se mbesim të hapur në qoftë se Lëvizja Vetëvendosje, si parti e parë i pranon kushtet tona për bashkëqeverisje, ne në çdo moment jemi të gatshëm që të lidhim marrëveshjen për qeverisje dhe konsiderojmë se do të jetë një marrëveshje që i kontribuon vendit, i kontribuon luftës kundër krimit dhe korrupsionit, i kontribuon zhvillimit ekonomik dhe jep përgjigje në besimin qytetar, të cilin ne e kemi marrë”, ka thënë Mustafa.

Në takimin e Kurtit dhe Mustafës, morën pjesë shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, ambasadori i Gjermanisë, Christian Held, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, si dhe përfaqësues të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës dhe të ambasadës së Italisë në Prishtinë.

Në këtë takim, sipas përfaqësuesve të LVV-së dhe LDK-së, ambasadorët e Quint-it u informuan rreth rrjedhës së negociatave për krijimin e koalicionit qeverisës.

Lidhja Demokratike e Kosovës po e sheh dorëheqjen e kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca si zgjidhje për nyjën e krijuar rreth marrëveshjes për koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.

Sipas LDK-së, dorëheqja e Konjufcës do t’u hapte mundësi partive në negociata, Vetëvendosjes dhe LDK-së, që të ndajnë në mënyrë të barabartë pushtetin, ngase kjo pozitë do t’i bartej nën udhëheqje LDK-së, kurse pozita e kryeministrit Vetëvendosjes.

LDK-ja pretendon që pozitën e kryetarit të kuvendit ta mbajë deri në ditën kur kuvendi ta zgjedhë presidentin e ri të Kosovës, diku në pjesën e parë të vitit 2021. Duke kërkuar që Vetëvendosje me marrëveshjen për koalicionin qeverisës ta mbështesë kandidatin e LDK-së për president, kjo e fundit më pastaj do t’ia kthente postin e kryetarit të kuvendit Vetëvendosjes, kurse do të ruante për vete postin e presidentit të shtetit. Ndërkaq sa u përket ministrive, Vetëvendosje dhe LDK kanë një marrëveshje që ato të ndahen pesë me pesë, si dhe dy ministri për pakicat.