Një grua kineze që mori ilaçe anti-inflamatore për të fshehur simptomat e COVID-19 në një fluturim nga SHBA-ja në Kinë marsin e kaluar, u dërgua në burg nga një gjykatë e Pekinit për pengimin e parandalimit dhe trajtimit të sëmundjeve infektive.

Li Na u dënua në muajin tetor, por vendimi u bë publik vetëm pak kohë më parë. Ajo kishte jetuar në Massachusetts vitet e fundit, duke punuar për kompaninë e farmacisë në SHBA, Biogen. Por, si shumë prej bashkatdhetarëve të saj, ajo zgjodhi të kthehej në Kinë gjatë pandemisë, me sa duket duke besuar se autoritetet lokale do të ishin më efektive në ndalimin e sëmundjes sesa homologët e tyre perëndimorë.

37-vjeçarja u ndje e sëmurë disa ditë para fluturimit, por nuk i ktheu biletat e saj pavarësisht se një prej kolegëve të saj tashmë ishte diagnostikuar me Covid-19. Gruaja mori antipiretikë para se të hipte në mënyrë që të fshihte simptomat e saj të koronavirusit dhe kreu një udhëtim të gjatë ajror nga Boston në Los Angeles dhe më pas në Pekin.

Problemet e saj shëndetësore u zbuluan vetëm pas uljes në Aeroportin Ndërkombëtar të Pekinit. Më 13 mars 2020, Li u diagnostikua me koronavirus, i cili detyroi 63 prej kontakteve të saj të ngushta të kalonin në karantinë.