Shkencëtarët që bënë klonimin e parë të suksesshëm në botë, duke krijuar delen Dolly, thuhet se janë në bisedime me qeverinë britanike për një trajtim të mundshëm për Covid-19 duke përdorur qeliza imune nga vullnetarë të rinj dhe të shëndetshëm.

Studiuesit nga “TC Biopharm” afër Glasgow kanë përdorur terapinë e re – e cila përdor transfuzione qelizash që ndërtojnë imunitetin, për të trajtuar me sukses kancerin.

“Daily Telegraph” raportoi se ata tani shpresojnë se do të funksionojë edhe kundër koronavirusit, dhe janë në bisedime me qeverinë për të testuar terapinë për atë qëllim. Ajo mund të jetë në dispozicion në spitalet britabike të NHS deri në korrik.

Dr. Brian Kelly, këshilltar i lartë strategjik mjekësor në “TC Biopharm”, tha se një nga sfidat kryesore për të luftuar infeksionin viral është të zhvillojë diçka që do të sulmojë qelizat e infektuara dhe jo qelizat normale.

Dolly ka vazhduar të frymëzojë kërkime shkencore mbi 20 vjet pasi ajo u zbulua në botë. Krijimi i saj ka qenë thelbësor për hulumtimin e qelizave burimore dhe ‘hapi mundësi më parë të paimagjinueshme’ në biologji dhe mjekësi. Dolly ishte si një mrekulli mjekësore, si qengji i vetëm që mbijetoi nga 277 përpjekje për klonim.