21 shtator 2015 –  Nisur nga parimi i policentrizmit në krijimin e zonës ekonomike Durana (Durrës-Tiranë) është menduar të ndërtohet një hierarki në raport me madhësinë e qendrave urbane. Ka tri skenarë infrastrukturorë (shih poshtë hartat).

Në ta si metropol do të jetë Tirana me fokusim në shërbime, rigjenerim të ish-zonave industriale, përmirësim të cilësisë së jetës, shtimi i hapësirave publike.

Durrësi konsiderohet qendër parësore, me fokusim në shërbime portuale dhe logjistike dhe shërbime për rekreacion.

Si qendra sekondare do të jenë Vora me fokusim për shërbime logjistike dhe alternativë për banesat me kosto të përballueshme dhe Shijaku me fokusim për shërbime, bujqësi.

Si qendra lokale do të konsiderohen Sukthi me fokusim për bujqësi dhe Ndroqi për agro-turizëm.

Nisur nga ky fakt, në skenarin e parë mendohet zgjerimi i rrugës së vjetër Tiranë-Ndroq-Durrës. Qeveria konsideron dhënie stimujsh apo lehtësi fiskale për korridorin Tiranë-Vorë-Durrës si zonë ekonomike. Duke qenë se qendër metropol do të jetë Tirana, do të bëhet plotësimi i unazës së madhe të saj. Bashkia e Durrësit do të jetë qendër primare, ku Vora, Shijaku dhe Sukthi do të bashkëpunojnë / bashkëveprojnë si qendra dytësore.

Në skenarin 2 mendohet zgjerimi i autostradës në të gjithë boshtin Tiranë-Durrës. Ndërsa rruga e vjetër Tiranë-Ndroq-Durrës do të jetë me karakter peizazhistik (për pushime e çlodhje. Do të ruhet hierarkia, ndërkohë do të bëhet plotësimi i unazës së madhe lindore të Tiranës.

Në skenarin e tretë mendohet vetëm zgjerim pjesor të autostradës (Kashar-Unazë-Durrës). Por do të futet në lojë zgjerim i rrugës së vjetër Fushë Krujë-Vorë.

PSE

Rajoni ekonomik Tiranë-Durrës do të vazhdojë të mbetet motori ekonomik i vendit dhe për t’u kthyer në një rajon konkurrues në Ballkanin Perëndimor. Rajoni do të kthehet në një hapësirë, e cila mbështet krijimin e “cluster”-ave ekonomikë. Rajoni “Tiranë-Durrës” synon të mbështesë bizneset dhe industritë kreative, të cilat do të lejojnë në kapërcimin teknologjik të këtij rajoni në të ardhmen. Duke parë përqendrimin e lartë të zonave urbane në rajon ky objektiv synon përmirësimin e cilësisë së mjedisit të ndërtuar në hapësirën Tiranë-Durrës. Zhvillimi kaotik i dekadave të fundit i lidhur dhe me zhvillime informale ofron një pasqyrë të vështirë urbane. Si rrjedhojë, duke parë dhe dëshirën për tërheqjen e talenteve dhe kompanive të huaja, përtej atyre vendase, është e udhës që cilësia urbane të kthehet në një prioritet për këtë plan. Përmirësimi i këtij mjedisi me anë të projekteve të rigjenerimit, konsolidimit si dhe integrimit do të ofrojë një mundësi të mirë për ofrimin e modeleve të zhvillimit të qëndrueshëm të komuniteteve, do të rrisë atraksionin e këtij rajoni edhe në nivel ndërkombëtar, si dhe do të nxisë industrinë e ndërtimit e cila është në vështirësi për momentin.

/th. m. portali DurresLajm/